Lazio siguroi një fitore të madhe kundër Juventusit mbrëmjen e kaluar. E shtata radhazi për ekipin e Inzaghit, të cilët konfirmohen në vendin e tretë. Kreu është vetëm 5 pikë larg dhe në Romën bardhekaltër kanë nisur të ëndërrojnë. Lojtarët po shkëlqejnë, sidomos një prej tyre.

Luis Alberto po kalon një formë fantastike dhe dje dhuroi asistet e golave të Luiz Felipe dhe Milinkovic-Savic. Organizatori spanjoll është ngjitur në kuotën e 11 asisteve në kampionat, një shifër që nuk e ka arritur askush këtë sezon.

Jo vetëm në Itali por as në Europë. 27-vjeçari i Lazios kryeson përpara De Bruyne (Manchester City) dhe Thomas Muller (Bayern Munchen), të cilët ndodhen në kuotën e 9 asisteve. Më pas renditen Son (Tottenham) dhe Sancho (Dortmund) me nga 7 pasime të kthyera në gola. Shifra të mrekullueshme për Luis Alberton, i cili është truri i kësaj Lazio që po fluturon, zhvillon një futboll të bukur ofensiv dhe po mposht çdo rival.