Presidenti i Kosvoës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas deklarimeve skandaloze të kreut të shtetit serb, Aleksandar Vucic, i cili ka përkrahur ish-ministrin serb Teodosijeviq rreth deklarimeve se Masakra e Reçakut ka qenë një ‘trillim’.

Kreu i shtetit të Kosovës madje ka bërë një krahasim, se si kancerlarja gjermane, Angela Merkel, flet për Aushvicin duke u ndjerë e turpëruar, ndërkohe presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, flet me krenari për gjenocidin serb, transmeton Express.

Ai në një postim në Twitter tha se nëse Merkel flet me turp për krimet e së kaluarës të udhëheqësve gjermanë, udhëheqësit serbë këtë po e bëjnë me krenari për krimet e Sllobodan Millosheviqit.

“Kancelarja Merkel në mënyrë dinjitoze foli në Auschwitz për turpin e autorëve të krimit. Udhëheqësit serbë flasin me krenari për gjenocidin. Ne do të arrijmë paqe për gjeneratat e ardhshme të Ballkanit, vetëm kur në diskutimet për atë që la pas Millosheviqi ata do të shprehin turp dhe vetë, turp”, ka shkruar Thaçi..

Përkundër Merkel që tha se “unë jam e mbushur me turp të thellë përballë krimeve barbare që u kryen këtu nga gjermanët, krime që kapërcejnë kufijtë e gjithçkaje të prekshme. Mbushem me tmerr dhe tronditje kur përballem me krimet dhe tmerret që u janë shkaktuar grave, burrave dhe fëmijëve në këtë vend”, presidenti Aleksandar Vuçiq e quajti të falsifikuar Masakrën e Reçakut ndërsa diplomatin amerikan, William Walker, i cili i tregoi botës për krimet që ndodhën aty gjatë kohës së luftës, e quajti mashtrues.

Deklarata të tilla erdhën edhe nga disa zyrtarë të lartë të shtetit serb pas dënimit me dy vjet burgim të ish-ministrit Ivan Todosijeviq që e tha të njëjtën derisa ishte në këtë post në qeverinë e kaluar të Kosovës.