Bordi i Drejtorëve, Telekomi i Kosovës Sh.A. ka njoftuar se më datë 1 Nëntor të këtij viti kanë pranuar njoftimin nga ana e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë – International Chamber of Commerce (ICC), njoftimin për padinë që Dardafone.net (Z-mobile), lidhur me mos vazhdimin e marrëveshjes së vitit 2009-të.

Sipas këtij njoftimi të marrë nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, sqarohet që Z-mobile ka kërkuar që të lëshohet një Masë e Sigurisë në atë mënyrë që të vazhdohet marrëveshja me MVNO dhe të vazhdohet ofrimi i Shërbimeve për klientët e Z-Mobile, dhe që Telekomi i Kosovës të paguaj dëmshpërblim.

E lidhur me këtë çështje sot në mënyrë urgjente është mbledhur Bordi i Telekomit së bashku me menaxhmentin për të diskutuar hapat e ardhshëm se si do t’i përgjigjen padisë.

Nga Telekomi thonë që vendimin për mos vazhdimin e marrëveshjes me Z-mobile e kanë marrë në pajtim me ligjet e Kosovës, dhe në pajtim me të dhënat financiare dhe ekspertizat teknike ndërkombëtare që kanë sugjeruar mos vazhdimin e një kontrate të tillë.

“Faktor kyq në Vendimin e Bordit të Drejtorëve për mos-vazhdimin Marrëveshjes së MSA-së me kushte të njëjta ka qenë Raporti i Ekspertëve Financiar dhe Teknik ndërkombëtar, të cilët kanë kuantifikuar dëme dhjetëra milionëshe në baza vjetore nga Kontrata me Z-Mobile”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve thotë se është bazuar edhe në opinionin e ekspertëve ligjor për mundësinë e mos-vazhdimit të Kontratës.

“Mbi këto rrethana, ka qenë e qartë se Vendimi për të mos-vazhduar Kontratën me Z Mobile është bërë në të mirën e Telekomit dhe të qytetarëve. Në këtë drejtim, Bordi i Drejtorëve do të angazhohet që edhe përfaqësimi në arbitrazh të jetë profesional dhe që të dëshmohen dëmet e shkaktuara nga Z – Mobile”, përfundon komunikata.