Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Nenad Rashiq pavarësisht se i kanë cilësuar si të parregullta pakot e ardhura nga Serbia po kërkojnë nga Gjykata Supreme t’i pranojë ato vota.

Kreu i Nismës thotë se Vetëvendosje dhe Rashiqi po i kërkojnë Supremes të vendos në favorin e tyre jo se ato janë të rregullta, sepse e dinë që janë të falsifikuara, por se i duhet të grabisin tre mandate dhe të përmbushin pazarin që kanë bërë.

Limaj shton se Gjykata Supreme e ka të qartë se ata që janë anku nuk janë aspak të shqetësuar për ligj e as për të drejtën e qytetarëve.

Postimi i plotë:

Fatkeqësisht, ky është realiteti në Kosovë!

Ka parti që ka një qëndrim zyrtar të partisë ku i cilëson të parregullta e kontrabandë pakot e ardhura nga Serbia dhe brenda javës e njëjta parti kërkon nga Gjykata Supreme zyrtarisht me i pranu ato pako si të rregullta.

Në të njëjtën situatë e thërret në ndihmë edhe një përfaqësues serb, i cili para tre dite tha publikisht në TV se ato “vota” grumbullohen, mbushen e falsifikohen në Nish dhe ky përfaqësues tash i kërkon Gjykatës me i pranu të njëjtat si vota të vlefshme.

Me një fjalë, LVV e Rashiqi po i kërkojnë Gjykatës Supreme të vendos në favorin e tyre, jo se ato janë të rregullta dhe e dinë që janë të falsifikuara, por i duhen se i grabitin tre mandate dhe përmbushin pazarin që kanë bërë me Rashiqin.

Besoj fort që Gjykata Supreme tanimë e ka të qartë se ata që janë ankuar nuk janë aspak të shqetësuar për ligj e as për drejtën e qytetarëve.

Po ashtu, me qëndrim publik kanë treguar se edhe për ta ato vota janë të parregullta dhe se ankesa e tyre është më tepër kërkesë për me shkel ligjin dhe me ju përmbushë apetitet e pazaret në dëm të të tjerëve e në kundërshtim me ligjin. FL