Pas më shumë se një viti kur mori udhëheqjen e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, filloi përpjekjet për të ndryshuar Statutin e Komunës, duke e arsyetuar këtë veprim me përmbajtje të disa rregulloreve të kohës së UNMIK-ut dhe përshtatjes së tij me rrethanat e reja politike, ekonomike, sociale, etj.

Por, skeptikët dhe ata që kundërshtuan idenë e Jasharit, sidomos një pjesë nga opozita, përfshirë këtu edhe një pjesë e PDK-së, përpjekjet e kreut të Komunës më shumë i panë si rehatim i përkrahësve të tij në pozita që synohej themelimi i dy drejtorive të reja, sesa që ishte nevoja reale për të bërë një statut të ri.

Mirëpo, kryetari Jashari kishte përgjigjen në dilemën e atyre që nuk mendonin si ai, duke këmbëngulur se drejtoritë mund të formohen vetëm me anë të një vendimi të Ekzekutivit, gjë që ashtu edhe doli.

Sidoqoftë, në përpjekjen e parë të kreut të Komunës, për të filluar ndryshim-plotësimet e nevojshme të Statutit, sharra hasi në gozhdë, kur nuk arriti t’i bindë shumicën e thjeshtë të Asamblesë, për të votuar propozimin e plotësim-ndryshimit.

Kësaj radhe, një pjesë e opozitës bashkë njërën pjesë të PDK-së, dolën fitimtarë, që votuan kundër propozimit të kryetarit Jashari, për të ndryshuar aktin më të lartë juridik të Komunës.

Prej asaj kohe, deri më tani, nuk ka pas lëvizje nga ekzekutivi i Skenderajt, si përpjekje tjetër për të provuar dhe një herë të çojë deri në fund propozimin e ndryshimeve statutare.

Dhe tani kryetari Jashari ka hedhur hapat e parë, për të provuar serish të realizojë qëllimin.

Porse tani, jo plotësim-ndryshime, mirëpo një statut krejtësisht të ri.

Këtë javë Kuvendi miratoi propozimin e Ekzekutivit, që kërkon shumicë e thjeshtë, për të hedhur në diskutim publik Statutin në formën e versionit fillestar, ashtu siç edhe e kërkon Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Nga dita e votimit, janë 30 ditë në dispozicion të qytetarëve, grupeve të interesit, palëve, dhe secilit që jeton e vepron në Skenderaj, të marrë pjesë në diskutim, duke dhënë kontribut me anë të komenteve, sugjerimeve apo vërejtjeve në statutin fillestar.

Më pas, rregullat ligjore përcaktojnë rrugët nëpër të cilat Ekzekutivi duhet t’i ndjek për të jetësuar idenë e Statutit të ri të Komunës.

Megjithëkëtë, bazuar në dështimin e mëhershëm të kryetarit Jashari sa i përket plotësim-ndryshimit të Statutit aktual, kur shumica e Kuvendit kishte votuar kundër kësaj nisme, del të jetë jo e lehtë edhe tani përpjekja e tij, për një statut të ri.

Të vështirë misionin e bën fakti se kërkohen 2/3 e anëtarëve të Kuvendit, që i bie 22 prej 31 anëtarë që ka legjislativi. (TV Drenica)