Pas më shumë se një viti kur mori udhëheqjen e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, filloi përpjekjet për të ndryshuar Statutin e Komunës, duke e arsyetuar këtë veprim me përmbajtje të disa rregulloreve të kohës së UNMIK-ut dhe përshtatjes së tij me rrethanat e reja politike, ekonomike, sociale, etj.

Por, skeptikët dhe ata që kundërshtuan idenë e Jasharit, sidomos një pjesë nga opozita, përfshirë këtu edhe një pjesë e PDK-së, përpjekjet e kreut të Komunës më shumë i panë si rehatim i përkrahësve të tij në pozita që synohej themelimi i dy drejtorive të reja, sesa që ishte nevoja reale për të bërë një statut të ri, shkruan rajoni.net.

Sidoqoftë, në përpjekjen e parë të kreut të Komunës, për të filluar ndryshim-plotësimet e nevojshme të Statutit, sharra hasi në gozhdë, kur nuk arriti t’i bindë shumicën e thjeshtë të Asamblesë, për të votuar propozimin e plotësim-ndryshimit.

Prej asaj kohe, deri më tani, nuk ka pas lëvizje nga ekzekutivi i Skenderajt, si përpjekje tjetër për të provuar dhe një herë të çojë deri në fund propozimin e ndryshimeve statutare.

Dhe tani kryetari Jashari ka hedhur hapat e parë, për të provuar serish të realizojë qëllimin.

Porse tani, jo plotësim-ndryshime, mirëpo një statut krejtësisht të ri.

Megjithëkëtë, bazuar në dështimin e mëhershëm të kryetarit Jashari sa i përket plotësim-ndryshimit të Statutit aktual, kur shumica e Kuvendit kishte votuar kundër kësaj nisme, del të jetë jo e lehtë edhe tani përpjekja e tij, për një statut të ri.

Të vështirë misionin e bën fakti se kërkohen 2/3 e anëtarëve të Kuvendit, që i bie 22 prej 31 anëtarë që ka legjislativi. /Rajoni.net/