Ende pa nisur ndërtimi i Qendrës tregtare ETC në Skenderaj, ku kjo e fundit i ka ofruar për shfrytëzim tokën komunale për 15 vite, duket të ketë nisur ndryshimi i fjalëve ndërmjet palëve nënshkruese të kontratës, shkruan Rajoni.

Në korrik të këtij viti ishte nënshkruar kontrata ndërmjet kryetarit të Komunës, Bekim Jashari dhe përfaqësuesve të ETC-së, për ndërtimin e qendrës tregtare në zonën afër ish-stacionit të autobusëve, në rrugën “Ilaz Kodra”. Në njoftimin e kryetarit Jashari, është thënë se ETC, pasi të jetë ndërtuar dhe të fillojë punë, do të punësojë 70 punëtorë, ku paga për secilin nga ta do të jetë prej 300 deri 400 euro.

Mirëpo, në vendimin e Komisionit komunal për vlerësimin e ofertave për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim afatshkurtër (nga 1 deri 15 vjet), të datës 9 mars të këtij viti, në pikën 6, shkruan se paga mesatare do të jetë 479 euro.

Ndërmjet vendimit dhe informatës së kryetarit Jashari, në ditën e nënshkrimit të kontratës, përvec nivelit të pagës, ka ndryshim edhe tek numri i të punësuarve që planifikohet të punësohen në ETC, ku fillimisht është thënë se do të punësohen 75, ndërkaq tani thuhet vetëm 70./Rajoni.net/