Zyrtarët e komunës së Skenderajt janë duke e menduar që dita e diel të jetë ditë pushimi për sektorin privat.

Kryetari Bekim Jashari, në një nga seancat e Kuvendit Komunal, ku po diskutohej për këtë çështje, si dhe përmirësimin e kushteve për punëtorët e këtij sektori, ka thënë se aktualisht janë duke u analizuar situata aktuale dhe rrethanat, dhe pasi të kenë përfunduar analizat, do të merret një vendim karshi kësaj çështjeje.

“Në këtë kohë, pra tani, jemi duke i bërë diskutimet me stafin, që sipas të gjitha gjasave është e nevojshme që e diela të jetë ditë pushimi, por ende nuk kemi mbërritur deri te ai vendim”, është shprehur kryetari Jashari.

Nëse komuna e Skenderajt merr vendim që dita e fundit e javës të jetë pushim për sektorin privat, atëherë punëtorët do të jenë ata që do t’i gëzohen më së shumti një vendimi të tillë.