Saktësisht 3 milionë e 872 mijë e 998 euro janë planifikuar të investohen në projekte kapitale për vitin e ardhshëm në komunën e Skenderajt, shkruan Rajoni.

Krahasuar me vitin e tanishëm, ku sipas raportit zyrtar të shpenzimit të buxhetit janar-qershor 2020, në të cilin është edhe kategoria për investime kapitale që kap vlerën 3,773,140.00 euro, ka një rritje të lehtë tek investimet kapitale, gati 100 mijë euro.

Bazuar në draft-buxhetin për vitin 2021, i cili është në rend të ditës për shqyrtim në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal, pjesa më e madhe e mjeteve nga kategoria e investimeve kapitale, pritet të investohen në sektorin e urbanizimit, në projektet e trajtimit të ujërave të zeza, asfaltim të rrugëve, ujësjellës, mirëmbajtje e riparim të rrugëve , riparim të objekteve shkollore, parqe, etj.

Më fjalë tjera, pritet investime po thuajse në çdo fushë të jetës. Sipas draft-buxhetit për vitin e ardhshëm, parashikimet për vitet pasuese janë tepër premtuese, me rritje të theksuar të buxhetit për investime kapitale.

Ndërkohë që në vitin 2022 pritet të investohen mbi 5 milionë e gjysmë, 2023-ta do të jetë “shpërthyes” sa u përket investimeve publike, ku janë paraparë gati 6 milionë euro.

By taulant