FIFA ka zbuluar se një shumë rekorde u shpenzua për transferimin e lojtarëve në vitin 2019. Lista e këtyre transferimeve të shtrenjta u kryesua nga Joao Felix, Antoine Griezmann dhe Eden Hazard.

Raporti i Marketit Global të Transferimeve (GTM), që u publikua nga FIFA të mërkurën, zbuloi se 7.35 miliardë dollarë u shpenzuan nga klubet në afatin kalimtar të vitit 2019, rritje prej 5.8 për qind në krahasim me vitin paraprak.

Studimi gjithashtu e konfirmoi se klubet angleze janë ato që kanë bërë më së shumti shpenzime – 1.52 miliard dollarë, ulje prej 22.1 për qind në krahasim me vitin paraprak.

Transferimi i Joao Felixit nga Benfica në Atletico Madrid për 126 milionë euro ishte transferimi më i shtrenjtë i vitit. Pas tij radhiten Antoine Griezmann (120 mln, Atletico Madrid – Barcelona) dhe Eden Hazard (100 mln, Chelsea – Real Madrid).

Viti 2019 theu rekord edhe sa i përket numrit të transferimeve që u kompletuan: 18,042 transferime gjatë vitit, ku u përfshinë 15,463 lojtarë.

Shumica e shpenzimeve u bënë nga klubet elitare të futbollit. Sipas gjetjeve të FIFA-s, 80 për qind e shumës së shpenzuar erdhi nga vetëm 100 klubet më të mëdha.

Edhe futbolli i grave e shënoi një ngritje drastike si në transferime, ashtu edhe në shpenzime. Gjatë 2019-ës u bënë 833 transferime në krahasim me 696 vitin paraprak, ndërsa u shpenzuan 652,032 dollarë (ngritje prej 16.3 për qind në krahasim me vitin e kaluar).