Kanë përfunduar gërmimet e ditës së dytë në oborrin e Universitetit të Prishtinës, ku dyshohet për mbetje mortore, derisa pritet të vazhdojnë përsëri të premten deri në vlerësimin e plotë të lokacionit.

Udhëheqësi i Zyrës në komisionin qeveritar për të pagjeturit, Kushtrim Gara i tha Ekonomia Online se deri me tani nuk ka pasur gjetje të mbetjeve mortore.

Gara theksoi se nuk ka afat të caktuar të gërmimeve, derisa shtoi se do të punohet deri në zbatimin e urdhëresës së prokurorisë.

“Edhe sot ka vazhduar dinamika e njëjtë të punëve nga ana e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore. Sot nuk do të përfundojnë gërmimet pasi ka edhe një pjesë të lokacionit në adresim të informatave nga dëshmitarët. do të vazhdohet të premten”.

“Nuk ka një afat të caktuar por do të punohet deri në adresimin e plotë të gërmimeve vlerësuar lidhur me informatat e këtij lokacionin në zbatim të urdhëresës së prokurorisë”, ka thënë Gara.