Reali i Madridit arriti të triumfojë me rezultatin 1-2 në transfertën baske ndaj Deportivo Alavesit, duke marrë një 3-pikësh me mjaft vlera, që e shkëput për momentin në krye të renditjes me 31 pikë, pas 14 javëve.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa vendasit pretenduan për një 11-metërsh me Aleix Vidal, por arbitri mendoi se kontakti nuk ishte i mjaftueshëm për të vërshëllyer për penallti.

Në fillim të pjesës së dytë ishte kapiteni Sergio Ramos që kaloi madrilenët në avantazh me një gjuajtje me kokë, ndërsa pak minuta më vonë, sërish qendërmbrojtësi bëri një faull në zonë, duke shkaktuar 11-metërsh për vendasit.

Penalltinë e mori përsipër argjentinasi Lucas Perez, që u tregua i saktë përballë portierit Areola dhe arriti të dërgojë topin në rrjetë, por vetëm 4 minuta më vonë, Reali gjeti edhe golin e dytë, këtë herë me anë të Dani Carvajal.

Minutat e fundi ishin vërtetë interesante, me tentativa e raste shënimi nga të dy skuadrat, por në fund ishin madrilenët që festuan 3 pikët që i shkëputin momentalisht me 3 pikë nga Barcelona, që do të luajë nesër në mbrëmje në transfertë ndaj Atletico Madrid.