Kosova luan me Çekinë ndeshjen më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve. Rezultati i “Dardanëve” në këtë transfertë do të jetë vendimtar për kualifikimin e mundshëm në Europian, pa pritur finalet e Ligës së Kombëtare. Milot Rashica, një nga lojtarët më të rëndësishëm bë formacionin e Challandes shprehet se Kosova nuk ka çfarë të humbasë, ndaj do të kërkojë fitoren.

“Të gjithë e dimë që është ndeshja më e rëndësishme. Çdo ndeshje deri tani e ka pasur rëndësinë  e vet, po kjo është finale për ne. Po mendojmë vetëm për Çekinë, të shkojmë atje e të marrim rezultat pozitiv, nuk kemi çfarë të humbim, do të kërkojmë ta fitojmë ndeshjen.

“Dardanët” kanë humbur për takimin me çekët Vedat Muriqin, një mungesë e madhe kjo sipas sulmuesit të Werder Bremenit, por që nuk duhet t’i cënojë ambiciet e skuadrës së drejtuar nga Challandes.

“Muriqi do të jetë një mungesë e madhe për ne, duke ditur formën që ka pasur deri tani. Por nuk kemi çfarë t’i bëjmë, futbolli i ka këto. Edhe në ndeshje të tjera na kanë munguar lojtarë, por ka pasur rezultate pozitive. Ne duhet të fitojmë për të gjithë që mungojnë, për shtetin tonë, duhet të japim maksimumin.”

Rashica këmbëngul se te Kosova nuk ka rëndësi kush luan dhe ku luan, forcave e “Dardanëve” mbetet loja në grup dhe sakrifica për njëri-tjetrin.

“Në shumicën e ndeshjeve luaj aty. Nuk e di me çfarë formacioni do të luajmë, kemi edhe pak kohë për të vendosur e të shohim si do të vendosë trajneri. Kemi lojtarë të tjerë që luajnë në pozita të ndryshme, por ajo që na ka sjellë deri këtu është grupi, kemi luajtur për njëri-tjetrin. Kemi pika të forta në shumë vende. Kur luajmë si grup, mund të ndodhë kjo. Nëse diçka na ka sjellë këtu, kemi lojtarë që mund të luajnë në pozita të ndryshme”.