Për 1 vit Serbisë i ka mbetur vetëm 1 për qind treg në Kosovë. Gjithë kjo si pasojë e vendosjes së taksës prej 100 për qind për mallrat serbe nga Qeveria e vendit më 21 nëntor të vitit 2018, me ç’rast u zvogëlua dukshëm hisja e Serbisë në tregun e Kosovës.

Statistikat nga Doganat e Kosovës konfirmojnë se për një vit për shkak të taksës 100 %, Serbia ka humbur 99 për qind të tregut të Kosovës, pasi që nga 440 milionë euro sa kanë qenë importet vjetore nga Serbia, të njejtat kanë rënë në 4 milionë euro.

Qeveria e Kosovës para një viti kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake për shkak të fushatës së egër diplomatike që bënte Serbia ndaj Kosovës, duke penguar në anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare (UNESCO, INTERPOL ) dhe njëkohësisht duke vazhduar me çnjohjet e pavarësisë së Kosovës,
raporton “Front Online”.

Së fundi shteti i Ganës e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, përderisa ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, insiston se janë më shumë se 10 shtete që e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndonëse në Ministrinë e Jashtme të vendit i mohojnë pretendimet e tilla.

Për shkak të taksës 100 për qind, që një vit janë bllokuar edhe bisedimet në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, insiston se nuk ulet në tavolinë të bisedimeve me homologët e tij nga Prishtina pa u hequr taksa, ndonëse zyrtarë të shtetit të tij vazhdojnë me fushatën e çnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

Për heqjen e taksës ka pasur kërkesa të vazhdueshme edhe nga faktori ndërkombëtar, me qëllim që të mos bllokohet dialogu politik mes dy vendeve në Bruksel.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka refuzuar heqjen e taksës, përkundër presionit të madh ndërkombëtar, përderisa lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, i cili është kandidat për kryeministër të ri të vendit,është shprehur se taksa 100 për qind të zëvendësohet me reciprocitet të plotë me Serbinë.

Të njejtin qëndrim e mbajnë edhe zyrtarët e LDK-së, me të cilët Kurti po bisedon për formimin e Qeverisë së re.

Piraj: Taksa ngriti patriotizmin ekonomik, u hapën vende të reja pune

Kundër heqjes së taksës 100 për qind janë disa nga prodhuesit e Kosovës.

Burim Piraj nga kompania prodhuese “Meka” ka thënë për portalin “Front Online”  se taksa 100 për qind, ndonëse ishte një vendim politik, siç thotë ai, ka pasur efekt të madh në ekonominë e Kosovës.

“Efekti më i madh që e ka arritur kjo taksë ka qenë ngritja e patriotizmit ekonomik, gjë e cila për dy dekada i ka munguar Kosovës”, shprehet Piraj për “Front Online”.

Ai thotë se kjo taksë ka pasur efekte konkrete për biznesin e tij.

“Në biznesin tonë për një vit i kemi hapur më shumë se 7 vende të reja të punës”, thotë Piraj.

Edhe Bedri Kosumi nga kompania “Pestova”, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ka rritur kapacitetin prodhues pas vendosjes se taksës. “Kapacitetet tona prodhuese pas vendosjes së taksës  janë rritur për 30 për qind. Përveç kapaciteteve e kemi rritur edhe numrin e punëtorëve. Aktualisht kemi 252 punëtorë të rregullt derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë rreth 200 punëtorë”, ka thënë Kosumi.

Krasniqi: Kosova përfiton më shumë nga reciprociteti

Në anën tjetër, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, për Telegrafin ka thënë se me reciprocitet Kosova përfiton më shumë edhe në aspektin ndërkombëtar.
“Ne mendojmë që kjo tash e tutje duhet të kaloj në reciprocitet e jo në taksë, sepse është duke e dëmtuar [Kosovën] edhe në aspektin ndërkombëtar, kështu që me reciprocitet Kosova përfiton shumë më shumë, ndërkohë që me Serbinë të krijojmë një bllokadë afatgjate sepse kjo nuk i njeh produktet e institucioneve tona”, tha Krasniqi.

AAK-ja “pro” taksës, PDK-ja “pro” reciprocitetit

Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilën e udhëheq kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, në një përgjigje për “Front Online” insiston se taksa 100% është instrument i fortë për Kosovës dhe si e tillë duhet të vazhdoj të aplikohet.

“Mendoj se sovranizimi i Kosovës është koncept që duhet të vazhdojë dhe të fuqizohet. Tarifa 100% ishte dhe është instrument i fortë në dorën e Kosovës. Si e tillë ajo duhet të vazhdojë dhe të mos largohet. Për më shumë, kësaj mund t’i shtohet edhe reciprociteti dhe kjo do ta forconte argumentin e Kosovës”, tha ai, duke shtuar se  reciprociteti nuk e zëvendëson taksën 100%.

Në kohën kur ishte vendosur taksa 100 për qind, AAK-ja kishte marrë edhe përkrahjen e PDK-së, me të cilët ishte në koalicion qeverisës. Por, pas presionit të madh ndërkombëtar, zyrtarët e lartë të PDK-së filluan të ndryshojnë qëndrim, duke kërkuar pezullimin e saj për t’i dhënë mundësi dialogut.

Safete Hadërgjonaj nga PDK ka thënë për “Front Online” se taksa 100% ka pasur efektin e vet në kohën kur është aplikuar.

“Taksa 100% ka pasur efektin e vet në kohën kur është aplikuar, sidomos në aspektin politik në raport me Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën. Këto dy shtete duhet të sillen në raport me Kosovën si dy shtete fqinje dhe t’i respektojnë ligjet dhe rregullat shtetërore të Kosovës dhe të marrëveshjes së CEFTA-s. Taksa duhet të mbetet në fuqi derisa prodhon efekte pozitive për vendin tonë si në sferen politike ashtu edhe në atë ekonomike”, shtoi ajo.

Më tej, ajo ka thënë se kur taksa fillon të jap efekte negative dhe bëhet pengesë për ecjen përpara të proceseve politike në rrugën e integrimit, atëherë duhet me menduar se si do t’i qasemi më tutje.

“Ndoshta është koha të vetëdijesohen bizneset të reduktojnë tregtinë me këto vende, por edhe konsumatorët të konsumojnë më shumë produkte vendore, sepse janë edhe të cilësisë më të mirë edhe ka më shumë siguri sidomos në konsumin e produkteve ushqimore”, tha Hadergjonaj.

Nga ana tjetër ajo thotë se taksa është diskutuar nga faktori ndërkombëtar dhe se reciprociteti për një kohë të caktuar është i nevojshëm.

“Taksa ka qenë e diskutuar shumë në këto kohet e fundit sidomos nga faktori ndërkombëtar, vendosja e reciprocitetit për një kohë të caktuar me mundësi të rikthimit të taksës nëse Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk respektojnë kushtet e tregtisë dhe nuk ndalin propaganden kundër Shtetit të Kosovës, ndoshta do të jetë mundësia më e mirë për t’i hapë rrugë proceseve në interes të vendit tonë”, përfundoi Hadergjonaj për “Front Online”.

Rënia e importeve nga Serbia dhe rritja e eksporteve

Përndryshe,sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për periudhën janar-korrik 2018 dhe 2019, del se importi i produkteve serbe ka rënë në mënyrë të dukshme. Ndërsa, vlera e eksporteve nga Kosova në drejtim të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës nuk ka pësuar shumë.

Dogana ka bërë të ditur se importet nga Serbia për këtë periudhë për vitin 2018 ishin 177.8 milionë euro, kurse eksportet kosovare arritën në 16.8 milionë euro.

“Në periudhën janar-korrik 2018, importet nga Serbia në drejtim të Kosovës ishin 177.81 milionë euro, kurse importet nga Bosnja e Hercegovina ishin 39.8 milionë euro. Për sa i përket eksporteve të produkteve vendore në drejtim të Serbisë për këtë kohë kanë arritur 16.8 milionë euro, ndërsa në drejtim të Bosnjës e Hercegovinë kjo vlerë ishte 4.6 milionë euro”, thuhet në raportin e Doganës për ndikimin e vendeve të CEFTA-së, përcjellë Telegrafi.