Një numër i madh i fëmijëve për shkak të kushteve të rënda ekonomike, e detyrimit familjarë bëjnë punë të rënda. Pavarësisht se ligji nuk lejon të miturit të punojnë, janë 6,8 për qind e fëmijëve në Kosovë, të cilët detyrohen të punojnë në kushte të rrezikshme, madje janë edhe viktima të dhunës në familje.

Në 30-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e tyre, po kërkohet nga institucionet që fëmijët të jenë të barabartë dhe të gëzojnë të drejtat për arsim e përkujdesje.

I miratuar për mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e e dhunës, abuzimit apo keqpërdorimit, as Ligji për Mbrojtjen e tyre nuk po respektohet.

Një gjë të tillë e thotë edhe këshilltarja Nacionale për Avokim dhe Edukim në SOS fshatrat e fëmijëve në Kosovë, Remzije Krasniqi.

Sipas saj, institucionet e kanë mandat dhe duhet të sigurojnë që çdo fëmijë të gëzojë të drejtat bazike.

Shumë fëmijë fatkeqësisht po mbesin edhe pa përkujdesje prindërore, e vetëm gjatë këtij viti janë 65 fëmijë të cilët kanë marrë shërbime në SOS fshat.

Se gjendja e fëmijëve në vendin tonë nuk është e mirë e thotë edhe Ahmet Kryeziu, drejtori i Save the Children, sipas të cilit Kosova ka edhe shumë për të bërë në respektimin e të drejtave bazike të tyre.

Nisur nga gjendja jo e mirë e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, drejtori i Save the Children në Kosovë, thotë për KosovaPress se po punojnë që të ndihmojnë në respektimin e të drejtave të fëmijëve, duke u bërë thirrje institucioneve që të reflektojnë në këtë angazhim të përbashkët.

Me rastin e shënimit të 30-vjetorit të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF  gjatë ditës së sotme u ka bërë thirrje institucioneve të marrin të gjitha veprimet përgatitore për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve. KOMF ka ritheksuar se shkalla e varfërisë së fëmijëve në Kosovë është  20.7%.

“10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasje në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, pas gjashtë vjetësh, që nga hartimi të tij, institucionet e Kosovës në qershor kanë miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka për qëllim të mbrojë ata nga të gjitha format  e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës.