Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Pas takimit Meta tha se është i lumtur që lideri i LDK-së, Isa Mustafa është më mirë me shëndet, ndërsa lavdëroi kandidaten për kryeministre Vjosa Osmanin.

Ai tha se shpreson që institucionet e reja të Kosovës të formohet sa më shpejtë, teksa edhe njëherë falënderoi popullin e Kosovës për solidaritetin me popullin e Shqipërisë pas gjendjes së krijuar nga tërmeti.

” Jam i kënaqur që e shoh shumë mirë dhe është kënaqësi që jam edhe me Vjosa Osmanin cila ka qenë një përfaqësuese e denjë e LDK-së dhe një protagoniste e shkëlqyer për të gjitha gratë dhe vajzat të cilat besojnë te kontributi i tyre dhe Kosova ka shkëlqyer edhe me rolin e grave dhe vajzave dhe shpresoj më të mirën për krijim e institucioneve të Kosovës dhe falënderim për shqiptarët e Kosovës që gjithçka qe kanë bërë për tërmetin në Shqipëri dhe aktualisht ndodhen me dhjetëra inxhinierë e specialist”, tha ai.

Ish-kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se është nder të takohen me presidentin Meta teksa e falënderoi për vlerësimin e FSK-së në misionin shpëtimtar në Shqipëri.

“Ne kishim kënaqësi që sot kishim Ilir Metën dhe shprehem ngushëllimet dhe uruam shërim nga ky tërmet E falënderuam për vlerësimin qe i ka dhënë pjesëtarëve të ushtrisë së Kosovës dhe për kujdesin qe po tregon ndaj familjes Abazi dhe do ta thellojmë bashkëpunimin me Shqipërinë ne si LDK”, tha ajo.

Meta sot po qëndron në Kosovë dhe pas këtij takimi pritet që të vizitojë familjen Abazi në Gjilan të cilët humbën dy djem në tërmetin që ndodhi në Shqipëri.

Paraprakisht, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka ndarë dekorata për njësitet e kërkim-shpëtimit të Kosovës që shërbyen në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit tragjik.