Skuadra nga Skenderaj, KF “Drenica”, në javën e 13 të kampionatit në futboll të Ipko Supërligës së Kosovës, do të luajë si mysafir kundër Llapit, që ndodhet dy pozita më lartë, përkatësisht në vendin e 5 me 20 pikë të grumbulluara. Kjo ndeshje do të zhvillohet të premten, nga ora 13.

Kryetrajneri i skuadrës kuqezi, Tahir Lushtaku, është i vetëdijshëm për kundërshtarin që e pret. Mirëpo, siç shprehet ai, pavarësisht kësaj, do të udhëtohet me synimin e rezultatit pozitiv.

“Sa i përket ndeshjes së nesërme udhëtojmë në Llap dhe e dimë që kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë, sidomos kur ai luan si vendas. Do të jetë e vështirë, por ne udhëtojmë për rezultat pozitiv, dhe për këtë jam shumë optimist. Kemi një atmosferë shumë të mirë brenda skuadrës para këtij takimi, ku kemi punuar mjaft shumë që të marrim rezultat të mirë në fund të ndeshjes, kur dihet se në pesë ndeshjet e fundit jemi pa humbje, dhe besoj që kështu do të vazhdojmë edhe në ndeshjen e radhës”, është shprehur për TV Drenica, trajneri Lushtaku.

Kuqezinjtë e Drenicës në pesë xhirot e fundit kanë 9 pikë, duke luajtur baras në tri ndeshje dhe fituar në dy të tjera.

KF “Drenica” aktualisht ndodhet në pozitën e 7 të tabelës së klasifikimit dhe kanë grumbulluar 17 pikë, 8 pikë më shumë nga klubi i Ferizajt që gjendet në pozitën 9, ku edhe ndahen skuadrat që do të luajnë vitin e ardhshëm në Supërligën e Kosovës me ato që do të bien nga kategoria superiore.

Skuadra e Skenderajt në xhiron e fundit fitoi takimin përballë KF “Feronikeli” me rezultat 1 me 0. (TV Drenica)