“Vetëm të premten e kaluar janë nisur katër autobusë përplotë me pasagjerë nga Prishtinë, dy për Kroaci dhe dy për Slloveni. Largimi me këtë tempo ka nisur para 4 muajëve dhe nuk dihet se kur do të përfundoj”, shprehen punonjës nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Njëkohësisht, sipas tyre, shumë autobusë udhëtojnë edhe drejt Gjermanisë, ku ka rritje të numrit të pajisjeve me viza pune.

Derisa nga një zyre në Stacion të Autobusëve jepnin informata për numrin e qytetarëve që largohen nga Kosova me viza pune, pak metra më larg dëgjohej zëri i një të riu derisa thoshte se po shkon fillimisht vet në Kroaci, pastaj do të mundohet t’ua siguroj vizat edhe dy vëllezërve të tij.

Në mesin e personave që kishin prerë biletat për Kroaci, kishte edhe të tillë qe thoshin se atje po shkojnë me shumë dëshirë, dhe se kjo nuk ishte hera e parë që bëjnë të njejtën rrugë, me të njejtin qëllim, fitimin e disa parave më shumë.

“Edhe Shtatorja e Skenderbeut nga Prishtina ka me ik për Kroaci, as ju nuk keni vend perspektivë këtu”, kështu shprehej punonjësi i agjencionit të autobusëve derisa mbyllte dyertë dhe bëhej gati për t’u nisur.