Se disa faqe interneti që thirren në media të pavarura dhe me kredibilitet të lartë, e që në fakt çdo prodhim informacioni bëhet për klikime, tregon rasti i fundit i një fotografie në qarkullim se gjoja është kryekomandanti Adem Jashari, percjelle tv drenica.

Në fakt dhe ç’është e vërteta, personi në fjalë (në të djathtë, me mustaqe) nuk është kryetrimi i UÇK-së por është Skender Rreci, një ish-luftëtar i UÇK-së, që, me gjithë respektin për të, portali Drenicapress i cili i referohet një portali tjetër, i quajtur Metro, e bën Adem Jashari.

Për këtë veprim të neveritshëm që bëhet për qëllime përfitimi klikimesh e për asgjë tjerër, nga ana e këtyre mediave përfituese, ka reaguar edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili edhe si përfaqësues i familjes Jashari e nip i Ademit, ka thënë se është e mjerueshme për lexuesin dhe qytetarin çfarë informimi iu bëhet.

“Është për të ardhur aq keq me disa media që para informimit të publikut, si mision që duhet ta kishin, e kanë interesin e klikimeve e përfitimeve materiale. Personi në fotografinë e shfaqur është Adem Jashari më aq sa jam unë?! Ai është Skender Rreci, një ish-luftëtar i UÇK-së, të cilin këto media e bëjnë Adem Jashari”, ka thënë nëpërmjet telefoni kryetari Jashari.

Kjo nuk është hera e parë që portalet ia huqin, por jo pa vetëdije, duke shkruar dhe botuar lajme e informata të rreme, vetëm për të rritur numrin e lexuesve.