Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti është takuar me drejtorët e shkollave të komunës së Mitrovicës dhe ata të Klinës. Ata biseduan për Programin Nacional për Rininë, për suksesin e nxënësve të treguar në garat paraprake si dhe për garat që po mbahen tani.

Në Mitrovicë, Koordinatori Hoti i përgëzoi drejtorët e shkollave për punën dhe përkushtimin në realizimin e programit duke thënë se ata janë shtylla e shkollës dhe suksesit.

“Nuk ka qenë e lehtë që për një vit të realizojmë një program nga i cili janë shpallur gjithsej 44723 fitues në garën nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe atyre të Diturisë, mirëpo këtë e kemi arritur në bashkëpunim me secilin prej juve. Mitrovica ka gjithsej 1863 fitues në të dyja garat në të tria nivelet, realisht Mitrovica ka një armatë fituesish. Ky sukses i nxënësve tregon edhe punën dhe përkushtimin e juaj”, tha Hoti.

Ndërsa, Drejtori Komunal i Arsimit, Egzon Jashari tha është i kënaqur me sukseset e nxënësve në këto gara. “E falënderoj Koordinatorin Hoti për takimin dhe interesimin për garën në komunën tonë, po ashtu falënderoj të gjithë drejtorët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre. Shfrytëzoj rastin të them se unë jam i kënaqur me rezultatet e arritura në komunën e Mitrovicës”, tha Jashari.

Kurse në Klinë, Koordinatori Hoti u prit nga Drejtori i DKA, Enver Gashi dhe drejtorët e shkollave të kësaj komune. Hoti tha se “Programi Nacional për Rininë nuk do të zbatohej pa kontributin tuaj drejtorë, angazhimi juaj ka bërë që programi të zbatohet për gjithë nxënësit pa përjashtim. Pavarësisht sfidave që kishim në realizimin e këtij projekti, kemi qëndruar së bashku duke i tejkaluar ato dhe duke menduar vetëm për suksesin e nxënësve. Klina në garat e kaluara ka gjithsej 1609 fitues dhe unë jam i bindur se me përkushtimin tuaj, në garat që janë duke u zhvilluar tani, nxënësit e Klinës do të dalin edhe më të suksesshëm”.

Ndërsa drejtori i DKA, Enver Gashi, e falënderoi Koordinatorin Hoti për takimin me drejtorët dhe përkushtimin e tij për të parë nga afër ecurinë e garave në këtë komunë. “Pavarësisht sfidave që kisha unë si drejtorë dhe komunës sonë rreth garave, u munduam që në mënyrë te suksesshme ti realizojmë garat, dhe të dalin të suksesshëm nxënësit e komunës sonë. Ju falënderoj juve Koordinator për një Program kaq të qëlluar për Rininë si dhe drejtorët e komunës sonë që ishin të angazhuar dhe punonin me përkushtim për zbatimin e programit”, tha Jashari.

Koordinatori Hoti, ndau mirënjohje për drejtorët dhe stafin e DKA-ve në të dyja komunat në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në organizimin e garave.