Në kongresin e dytë ekonomik të Unionit të Bizneseve që po mbahet në Frankfurt të Gjermanisë, Albin Kurti ka thënë se me qeverinë e re do të krijojnë qendra kulture për të cilat shteti kujdeset që kultura e historia e brezave të mësohet nga fëmijët kudo.

“Deri tani vërtetë kemi pasur Ministri të Diasporës, por nuk mund të thuhet fort që kemi pasur diasporë në ministri. Pra në vend që në këtë ministri, ministri dhe pjesa më e madhe pjesa ë stafit të ishin nga diaspora, dhe kjo të kthehej në shembull të kthimi të trurit, është për keqardhje që aty jo rrallë u vendosën njerëzit që nuk mund të lavdërohen për trurin e tyre dhe që mundësuan ikjen e tyre. Prandaj, angazhimi ynë institucional për diasporën do të bëhet me diasporën”, tha Kurti.

Ai tha se rolin e diasporës shqiptare e shohin si vlerë kulturore ekonomike.

Para qindra përfaqësuesve të bizneseve shqiptare e gjermane, Kurti premtoi se do të mundësojnë votën e lirë, ku siç tha ai e drejta e votës për mërgimtarët do të garantohet, dhe do të votohet në ambasada e konsullata, aty ku janë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës nëpër botë.