Jo të gjithë punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë marrë pagat për muajin tetor. Kjo pasi që kjo kompani, për shkak të detyrimeve që kishte ndaj ATK-së, i pati për disa ditë të bllokuara xhirollogaritë.

Nga Telekomi i Kosovës, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë, Bedri Istrefi, ka thënë se pagat i kanë marrë vetëm një kategori e caktuar.

“Jo s’kanë dalë, vetëm gradës 1-8 pjesa tjetër jemi duke punu, jemi duke tentu me u mundu me i ekzekutua. Prej gradës 9-18 nuk kanë dalë pagat, besojmë që nesër arrijmë deri në gradën 12. 630 mijë euro ATK-ja na ka marrë, 5 ditë para përfundimit të muajit për këtë arsye është e vështirë që të bëhet pagesë menjëherë për të gjithë stafin”, ka thënë ai, transmeton Express.

Telekomi i Kosovës dhe ATK-ja kanë arritur javën e kaluar marrëveshje për formën e shlyerjes së borxhit, që rezultoi me zhbllokim të llogarive bankare të Telekomit, që evitonte mundësinë që punëtorët e kësaj kompanie të mbesin pa pagat e muajit tetor.