Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përkujton veprimtarin Xhemail Mustafa në 19 vjetorin e vrasjes së tij.

“Me dhimbje dhe krenari përkujtojmë një prej figurave më të rëndësishme të lëvizjes politike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sot, kujtojmë bashkëpunëtorin e ngushtë të Presidentit Rugova, një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, publicistin, shkrimtarin dhe veprimtarin e Kosovës, Xhemail Mustafa.

Xhemaili ishte i veçantë, kishte guxim, ishte vizionar dhe punëtor, luftëtar i madh për çlirimin e Kosovës.

Xhemail Mustafa, intelektuali i jashtëzakonshëm të cilin e humbi Kosova, fuqishëm luftoi ta artikuloj mesazhin për realizimin e ëndrrës për liri dhe pavarësi përmes informimit të opinionit vendor e ndërkombëtar për kauzën e Kosovës.

Veprat e Xhemail Mustafës janë gjurmë e pashlyeshme e të kaluarës dhe të tashmës për të gjithë ne.

Institucionet e Kosovës duhet të punojnë për zbardhjen e vrasjes së Xhemailit dhe shumë veprimtarëve tjerë, që padrejtësisht i ndalën së luftuari për ëndrrën e tyre dhe të gjithë neve, pavarësinë e Kosovës”.