Pesë ditë pasi u bë futbollisti i parë në histori që e fiton Topin e Artë për herë të gjashtë në karrierë, Lionel Messi e dëshmoi talentin e tij duke shënuar het-trik në fitoren me rezultat 5:2 të Barcelonës kundër Mallorcas.

Barcelona arriti ta rimarrë kreun e tabelës së La Ligës me fitoren me rezultat 5:2 kundër Mallorcas, në ndeshjen që u zhvillua të shtunën në mbrëmje në Camp Nou, në kuadër të xhiros së shtatë të La Ligës.

Ndeshja filloi me spektakël, pasi që në minutën e shtatë, portieri Marc-Andre ter Stegeni e asistoi golin e Antoine Griezmannit, që e zhvilloi rezultatin e ndeshjes. Ter Stegen arriti të asistojë për herë të dytë në këtë sezon, duke e dëshmuar vizionin dhe saktësinë e tij në pasime, edhe pse është portier.

Në minutën e 17-të dhe në minutën e 41-të, Lionel Messi i shënoi dy gola të bukur, ndërsa në mes të tyre Mallorca tentoi të kthehet në ndeshje përmes golit të shënuar nga Ante Budimir.

Para se të mbyllej pjesa e parë, Luis Suarez i mahniti tifozët në Camp Nou me golin e tij me thembër.

Në pjesën e dytë, Budimir e shënoi sërish një gol për Mallorcan, mirëpo vëmendjen e mori Messi, i cili në minutën e 83-të e kompletoi het-trikun e tij.

Tani, Barcelona radhitet në pozitën e parë në tabelën e La Ligës, me 34 pikë të grumbulluar.

https://streamable.com/dy4vo