Kanë përfunduar tri ndeshjet e para të xhiros së 15-të në Superligën e Kosovës.

Drenica ka arritur ta mposhtë Trepçën’89, që ishte në formë të mirë pasi nuk dinte për humbje në tri ndeshjet e fundit.

Ndeshja e zhvilluar në Skenderaj, ishte mjaftë interesante. Sykaj kaloi në epërsi Drenicën në minutën e 12-të, ndërsa në minutën e 30-të, Emini barazoi shifrat, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Edhe në pjesën e dytë ndeshja ishte në nivel të lartë. Hyseni i dha epërsinë përsëri Drenicës në minutën e 52-të, derisa pas tre minutave Kaqiku barazoi rezultatin, ndërsa golin e fitores për vendasit e shënoi Bardhi në minutën e 85-të.

Nga ana tjetër, lideri Ballkani nuk ka arritur të fitoi më shumë se një pikë kundër Llapit në Suharekë. Plaku i dha avantazhin mysafirëve në minutën e 33-të, ndërsa Potoku barazoi shifrat në minutën e 72-të, rezultat me të cilin përfundoi ndeshja.

Drita ka arritur në minutat shtesë të mposhtë Dukagjinin. Golin e shënoi Emini nga pika e bardhë në minutën e 90-të, por që për klubin nga Gjilani ka vlerën e tri pikëve.

Ndeshje tjetër që do të zhvillohet sot është derbi në “Fadil Vokrri”, mes Prishtinës dhe Feronikelit.