Bernard Challandes, trajneri i Kombëtares së Kosovës, është shfaqur në konferencë për media para ndeshjes me Anglinë në “Fadil Vokrri”, që do të zhvillohet të dielën nga ora 18:00.

Challandes:

“Për mua është një ndeshje mjaft mjaft e rëndësishme sepse me këtë mbyllet kampanja kualifikuese dhe është e rëndësishme para lojës me Maqedoninë”, u shpreh Challandes.

“Para kualifikimeve, nëse ju kujtohet thosha se ato do të na shërbejnë për të bërë përparim, si përvojë. Kjo ndeshje është mundësi e mirë për të bërë përvojë”.

“Për ne është një ndeshje e mrekullueshme”.

“Anglia ka potencial të jashtëzakonshëm ofensivë, që shënon shumë gola. Për ne është një sfidë e pabesueshme. Si trajner, mund ta shijoj këtë lojë, por natyrisht edhe një lojë për t’u frikësuar. Është ndeshja e 1001 për Anglinë, e 29-ta për ne”.

“Ne nuk mund të mendojmë se është një lojë miqësore. E kemi rastin të luajmë në mars me Maqedoninë, prandaj kjo është një mundësi e mirë, një lojë mjaft e rëndësishme. Jam kureshtar ta di se si do t’i qasemi lojës kundër Anglisë”.