Gjatë vitit 2019 në Kosovë janë shënuar gjashtë raste me HIV/AIDS, ku prej tyre dy kanë përfunduar me vdekje. Kështu u bë e ditur në shënimin e ditës botërore të HIV/AIDS, që është me 1 dhjetor të organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Në këtë tryezë u bë e ditur se personat e prekur me HIV/AIDS, janë kryesisht nga zonat urbane, ku Prishtina prinë me numrin e të prekurve me 23 persona me AIDS, 18 me HIV dhe 13 kanë vdekur.

Luljeta Gashi, shefe e njësisë së HIV/AIDS në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tha se numri më i madh i të prekurve me HIV/AIDS, është shënuar në vitin 2016, ku kanë qenë 11 raste me tri raste të vdekjes.

Ajo bëri të ditur se dominon gjinia mashkullore e prekur me HIV/AIDS, ku tha se 72 përqind e të prekurve janë meshkuj, ndërsa 28 përqind janë femra.

Sa i përket moshës, ajo tha se mosha më e atakuar është mosha nga 25 deri në 45 vjeç. Ndërsa, tha se ka rritje të numrit të rasteve të moshës mbi 55 vjeç me 6 përqind.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka përmendur disa nga sfidat me të cilat përballet e Kosova, e që sipas tij, mund të ndikojnë në përhapje të shpejtë të epidemisë së HIV nëse nuk adresohen në mënyrë të drejtë.

Kurse, shefi i zyrës së OBSh-së në Kosovë Sergy Koryak, u shpreh se HIV/AIDS vazhdon të marrë jetën e mijëra njerëzve në botë.

Rasti i parë i HIV/AIDS në Kosovë është regjistruar në vitin 1986, deri sot në IKSHPK janë raportuar gjithsej 128 raste, 51 raste të vdekur.