Analisti i mirënjohur i temave politike, Nexhmedin Spahiu, pretendon se ka evidentuar një skandal që ka ndodhur në transmetim direkt gjatë zbulimit të përmendores së Ahmet Krasniqit.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe disa prej liderëve më të rëndësishëm institucionalë, si kryeministri Hoti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Spahiu deklaron se derisa po zbulohej përmendorja e Krasniqit, në skenë po luhej një valle me flamuj kombëtar të Kosovës e Shqipërisë, dhe se gjatë kësaj skene flamujt e Kosovës u lëshuan përtokë ndërsa ata të Shqipërisë u mbajtën lart, përcjell Periskopi.

Ai ka kërkuar dënim sipas ligjit për fajtorët, e që ka mundësi të jetë koreografi përgjegjës për atë shfaqje.

Statusi i plotë:

Skandal i madh kombëtar sot në prani të kryeministrit Avdullah Hoti, kryeparlamentarës Vjosa Osmani-Sadriu, Ministrit Anton Quni, komandantit të FSK , Rrahman Rama nën transmetim direkt televiziv. Gjatë ceremonisë së zbulimit të përmendores së heroit të kombit Ahmet Krasniqi, në skenë luhet një valle me flamuj kombëtar të Kosovës e të Shqipërisë dhe gjatë asaj skene flamujt e Kosovës lëshohen përtokë ndërsa flamuri i Shqipërisë mbahet lartë. Për këtë skandal fajtorët duhet të dënohen sipas ligjit.