Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thotë se nga janari i këtij viti, Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale ka ftuar më shumë se 200 pjesëtarë të UÇK-së si dëshmitarë dhe të dyshuar. Por sipas avokatit Tomë Gashi, i cili ka marrë në mbrojtje disa prej të ftuarve, në mesin e tyre edhe Sylejman Selimin, numri i të dyshuarve dhe i dëshmitarëve shkon në rreth 800.

Të ftuarit janë nga i gjithë zingjiri komandues i UÇK-së, nga ushtarë të thjeshtë e deri në gjeneralë dhe komandantë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Që nga miratimi i ligjit për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës më 82 deputetë, pjesa më e madhe e opinionit publik e ka kundërshtuar themelimin e Dhomave të Specializuara për të ndjekur vetëm krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja, duke e cilësuar të padrejtë themelimin e saj. Por, ka pasur dhe ka zëra që e mbështesin Gjykata Speciale dhe kërkojnë nga ajo të hetojë të gjitha vrasjet politike të luftës e të pasluftës, përfshirë edhe ato që kanë ndodhur pas dhjetorit të viti 2000, që është kufiri i shtrirjes së mandatit të saj.

Kadri Veseli: Më 4 dhjetor do të udhëtoj drejt Hagës

Kur më 3 gusht 2015, Kryeparlamentari Kadri Veseli ftonte deputetët të votonin ligjin për Dhomat e Specializuara, vështirë t’i kishte shkuar mendja se një ditë Prokuroria e Dhomave të Specializuar, do t’i dërgonte atij personalisht ftesën për tu intervistuar lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Katër vjet më vonë, nga Dhomat e Specializuar të Hagës, ai ka marrë ftesën ashtu si qindra bashkëluftëtarë të tij. Para mediave dhe duke iu drejtuar opinionit publik, Veseli të enjten e 7 nëntorit, konfirmoi se më 4 dhjetor do udhëtojë drejt Hagës dhe se do t’i përgjigjet ftesës, i bindur se ai dhe të gjithë ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, do ta kalojnë edhe këtë sfidë dhe do të dalin faqebardhë:

 “Epoka e UCK-se dhe luftës çlirimtare është epoka më krenare e jetës sime. Por duhet pranuar një fakt: Lufta e drejtë e popullit tonë për liri ka qenë e sulmuar vazhdimisht! Që nga paslufta ky është procesi i pestë i drejtësisë, të cilit i nënshtrohet kjo luftë. Nuk besoj se në historinë e lëvizjeve çlirimtare të ketë pasur një shembull të tillë. Edhe ky proces duhet të ketë epilog. Jam i bindur se edhe kjo gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë të UÇK-së. Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese me 4 dhjetor në Hagë”, ka theksuar Veseli.