Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk i ka certifikuar rezultatet finale, koalicioni Nisma – AKR – PD nuk ka arritur t’i grumbullojë votat e nevojshme të hyjë në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht deklarimeve të përfaqësuesve të këtij koalicioni se e kanë kaluar pragun, njohësit e procesit zgjedhor vlerësojnë se ky koalicion ka mbetur jashtë Kuvendit për vetëm 134 vota, shkruan gazeta “Zëri”.

Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, në një prononcim për këtë të përditshme ka deklaruar se me rezultatin aktual, ku hyjnë edhe votat e ardhura nga Serbia, koalicioni Nisma – AKR – PD nuk e ka kaluar pragun prej 5% në mungesë të 134 votave. Mirëpo nëse votat e ardhura nga Serbia anulohen, atëherë Makolli thotë se partia e tij do të jetë pjesë e legjislaturës së shtatë në Kuvendin e Kosovës.

“Ne kemi bërë ankesa dhe do të ankohemi deri në fund kundër numërimit të votave nga Serbia, të cilat ne konsiderojmë që janë kontrabanduese. Përndryshe, nëse këto vota mënjanohen, ashtu siç duhet, ne do të jemi në Kuvend me disa vota më shumë sesa pragu. Aktualisht, sipas votave të numëruara, ne nuk kemi arritur të hyjmë në Kuvend, mirëpo ne i kemi disa informata që na fusin brenda, por nëse hiqen votat serbe, gjë që ne shpresojmë se do të ndodhë në harmoni me ligjin”, ka thënë Makolli, shkruan tutje kjo gazetë.

E derisa ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve nga KQZ-ja, Makolli ka potencuar se është një diferencë e vogël që e përcakton fatin final të partisë së tij. “Është një dallim i vogël. Unë nuk insistoj që jemi brenda, sepse nuk ka ende asgjë zyrtare. Sipas rezultateve që po publikohen nga analistët, momentalisht për 134 vota jemi jashtë, por nëse hiqen ato të Listës Serbe ne hyjmë brenda. Ne kemi shpresë, por nëse nuk hiqen këto vota është pikëpyetje e madhe”, ka thënë më tutje ai.