Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar kundër deklarimeve të Edi Ramës rreth krijimit të Mini-Shëngenit ballkanik, duke thënë se kryeministri i Shqipërisë, vazhdon të dëmtojë subjektivitetin e Kosovës në çdo iniciativë rajonale të tij.

Reagimi i Abdixhikut vjen pas polemikës që kryeministri Rama pati me kreun e LDK-së Isa Mustafa.  I pari i Qeverisë së Shqipërisë tha që nuk ka punuar kurrë dhe as nuk ka lidhje me Jugosllavinë.

 

 

“Edi Rama nuk ka jetuar në Jugosllavi; por kemi jetuar ne të gjithë. Prandaj bën mirë të rri sepse nuk kupton – nuk di. Nga naiviteti apo apetiti për protagonizëm, pak ka rëndësi, ai vazhdon të dëmtojë subjektivitetin e Kosovës në çdo iniciativë rajonale të tij”, shkruan Abdixhiku në Facebook.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Edi Rama nuk ka jetuar në Jugosllavi; por kemi jetuar ne të gjithë. Prandaj bën mirë të rri sepse nuk kupton – nuk di. Nga naiviteti apo apetiti për protagnoziëm, pak ka rëndësi, ai vazhdon të dëmtojë subjektivitetin e Kosovës në çdo iniciativë rajonale të tij.

– Kur nënshkruanin marrëveshje për autostradën Nish-Durrës me Aleksandrin, mikun e tij, e anashkalonin të dy Kosovën në tërësi. Thuajse kjo autoudhë nuk kalonte nga ne hiç.

– Kur flitej për vendosje kufiri shqiptaro-serb dhe me këtë zhbërje të shtetësisë, ai e promovonte këtë ide si alternativë të mirë.

– Tash, sërish, të dy, ideojnë marrëveshje për krijimin e mini-Jugosllavisë; sërish, por jo për rastësi, pa hesapuar mendimin e Kosovës si shtet në këtë iniciativë.

Secili naiv pjesëmarrës në këtë rrugëtim, duhet ta kuptojnë se mospjesmarrja e Kosovës në çdo iniciativë është pikërisht çfarë Serbia pretendon tash e sa kohë: mosekzistencën tonë. Për ta s’jemi; por për Shqipërinë duhet të jemi patjetër si mendim e si vendim padallim. Relacionet e Shqipërisë me Serbinë kapërcejnë nëpër Kosovë.

Unioni Doganor Ballkanik e mini-Jugosllavia e re janë të vdekura pa lindur hiç.