Skenderaj/Covid-19: 134 raste deri më tani, 64 të shëruar, 64 aktivë, 6 të vdekur

Që prej shfaqjes së rasteve të para me Covid-19 në Kosovë, e deri më tani, në komunën e Skenderajt janë regjistruar 134 të infektuar, prej të cilëve aktivë janë 64 raste, janë shëruar po kaq, ndërkaq gjashtë qytetarë kanë humbur jetën nga infeksioni.

Këtë e ka bërë të ditur për Rajonin dr. Osman Veliu, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, sipas të cilit, pas rezultatit të testimeve gjatë të shtunës, 6 kanë rezultuar pozitiv me Covid-19.

“Rastet e fundit që kemi kontaktuar janë në gjendje stabile shëndetësore. Të gjithë pacientët e kontaktuar pothuajse edhe pse janë pozitiv, duket sikur janë në fazën përfundimtare të COVID 19”, ka thënë dr.Veliu.

Duke folur për gjendjen në Shtëpinë e Pleqve në qytet, ku tre të moshuar janë me Covid, ai ka thënë se ata janë mirë me shëndet.

“Njëra nga pacientet vuan nga probleme tjera kronike, por sa i përket Covid-19, është mirë.
Vazhdojmë të punojmë me raste të dyshimta të cilat kryesisht trajtohen në kujdes shtëpiak dhe në QKMF. Nevojat për vizita shtëpiake janë shumë të theksuara. QKMF vlon nga raste të dyshimta të cilat vijnë nga sektori privat. Psh, çdo ditë japim më shumë se 120 – 150 infuzione brenda QKMF dhe në teren”, shprehet drejtori i Spitalit në Skenderaj.

Ajo që po paraqet problem tek QKMF, duke mbingarkuar shërbimin mjekësor, mbetet sektori privat, ku mjekët shkruajnë në receta mjekësore infuzione pa nevojë.

“Edhe njëherë, kishim me i lutë mjekët nga sektori privat që të mos shkruajnë infuzione pa ndonjë nevojë, në gjithë ato raste kur ka mundësi për trajtim oral, sepse ne jemi duke i shterur edhe burimet (barërat dhe injeksionet) edhe stafi është në  trysni të vazhdueshme nga pacientët dhe të rrezikuar në çdo moment nga qarkullimi i pakontrolluar i njerëzve – përcjellësve të pacientëve brenda hapësirave të QKMF të cilët në shumicën e rasteve janë bartës të COVID 19 dhe të cilët në shumë raste nuk shprehin mirëkuptim në lidhje me pritjet sado të vogla për të marrë terapinë”, shprehet i shqetësuar dr.Veliu.