Shteti me 95 milionë banorë shënon viktimën e dytë të koronavirusit

Një ditë pasi e shënoi viktimët e parë, Vietnami e ka regjistruar edhe një të vdekur nga koronavirusi. Ky vend është vlerësuar lart për menaxhimin efektiv të pandemisë në fazën e parë të përhapjes.

Dy viktimat e para, burra të moshës 61 dhe 70-vjeçare, vdiqën në një spital në Da Nang, qytet që është bërë epiqendër e përhapjes së virusit në shtetin e Azisë Juglindore.

Sipas medieve lokale, të dy personat që vdiqën nga sëmundja e re kishin edhe probleme të tjera shëndetësore, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Për më shumë se tre muaj, në Vietnam nuk ishte regjistruar asnjë rast i ri i kontaktit lokal para se rastet e reja të shpërthenin në një hotel në Da Nang gjatë kësaj jave.

Shteti me rreth 95 milionë banorë i ka raportuar vetëm 546 raste të infektimeve që nga fillimi i pandemisë.