Provincializmi i Enver Petrovcit

Enver Petrovci për gazetën NIN të Beogradit:

Nga Daut Dauti –

„Ranije su na korzou u Prištini sredinom išli gra?ani, a na suprotnim stranama ulice, s jedne Srbi seljaci, a s druge Albanci seljaci. Sredinom smo išli Siniša i ja i sredina je bila puna, a vidiš koliko je ta sredina široka. Kolone sa leve i desne strane bile su tanke. To je mentalitetska stvar, nema veze s nacijom. Meni je bio bliži Rom iz grada, nego Albanac sa sela. Sad toga više nema.“

Për ata që nuk e dinë serbishtën, Petrovci, në fjalinë e parë (të zgjeruar) të këtij citati, flet se si dikur në korzon e Prishtinës ai është shetitur në mes të rrugës së bashku me qytetarët tjerë. Pra, me serbë, shqiptarë, romë, etj. Ata që e mbajnë mend korzon, sikur unë, e dijnë që ajo ka qenë e ndarë: në njerën anë janë shetitur shqiptarët kurse në tjetrën serbët. Ndarja në Prishtinë dhe në tërë Kosovën ka qenë edhe simbolike. Ndoshta këta njerëz ditën kanë punuar bashkë, por në mbrëmje e manifestonin ndarjen. Me fjalë tjera, kjo simbolikë ka bërë me dije se këta njerëz gjatë ditës kanë qenë të detyruar të jenë së bashku, por pas punës dhe detyrave tjera zyrtare, kur kanë vendosur vetë, nuk e kanë parë të arsyeshme që edhe në mbrëmje apo gjatë natës që të vazhdojnë të jenë bashkë. Ndarje më deklarative dhe më domethënese se kjo, nuk ke se si bënë më mirë e më shumë.

Korzo të përbashkët në Prishtinë nuk ka pasur. Në anën e serbëve ka mund të ketë shqiptarë që kanë besuar në jetën e përbashkët apo disa që kanë pretenduar por numri i tyre ka qenë i parëndësishëm.

Në fjalinë e tretë dhe të katërt, Petrovci e thekson një të vërtetë: ndarja qytet – fshat. Por, ai këtë e proklamon si vlerë pozitive e që në fakt është negative. Dhe, në fjalinë e fundit Petrovci duket se me mallëngjim dhe keqardhje konstaton se kjo ndarje më nuk ekziston. Dmth, sipas tij, është bërë keq që më nuk ka fshatarë.

Ajo që del nga konstatimi i këtij aktori të njohur në tërë Jugosllavinë është një problem i madh me të cilin është ballfaquar ky vend gjatë shek. XX, por që aktorit tonë iu është dukur si vlerë prominente. Në fakt, ky ka qenë problem i madh i Serbisë dhe Kosovës. Në këto dy vende nuk ka patur qytete që do të krijonin dhe promovonin kulturë-civilizim. Ka patur diçka në mes qytetit dhe fshatit. Ka patur një vendbanim as qytet e as fshat. Këtë fenomen, në mënyrë të shkëqyeshme e ka spjeguar Ramdomir Konstantinoviq, i cili këtë vendbanim e quan ‘Palanka’.

Banori i Pallankës nuk ka qenë qytetar. Ka pretenduar se është dhe kjo ka shkaktuar komplekse në personalitetin e tij. Ky kompleks ka bërë që të urrehet fshati pa masë pasi që ai i nxirrte në shesh rrënjët e ‘qytetarit’ të pakulturuar siç pretendon të jetë Enver Petrovci. ‘Qyetari’ që kishte mbetur në mes – as me shehër e as me Barilëve. Nuk kishte fuqi ta arrinte qytetin se ishte larg apo në të shumtën e rasteve qyteti nuk ekzistonte. Në rastin e Kosovës fshati apo fshatari është sulmuar nga qendra (Beogradi dhe Prishtina) edhe më shumë dhe në mënyrë orkestrale për shkak se nuk e dorëzonte traditën që e ndihmonte elementin nacional.

Ky pretendim e qytetarisë sot neve na shkakton probleme serioze. Sikur në të vërtetë të kishte qytatari në Serbi dhe Kosovë, sot shqiptarët dhe serbët nuk do të kishim kaq shumë probleme mes vete. Sidomos ne nuk do të kishim këto probleme që i shohim nëpërmes akademikëve dhe politikanëve tanë, të cilët na e gërditin jetën.

Qyteti apo qyteraria në kuptimin modern të Perëndimit është larg. Pse është larg nuk është problem i madh. Problem të madh dhe serioz paraqet fakti që ne bëjmë hapa të vegjël e të parëndësishëm për të shkuar në të drejtim.

Prandaj, ajo që e thot Enver Petrovci nuk është kulturë universale por është shprehje e kompleksit provincial. Është nostalgji për një vlerë negative dhe në të shumtën e rasteve për diçka që nuk ka ekzistuar.